Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dje nisi një vizitë zyrtare dyditore në Serbi, ku pati një takim me presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit, dyshja doli para gazetarëve për t’iu dhënë përgjigje një sërë temash me interes.
Mes tyre ishte padyshim edhe çështja e Kosovës.
Macroni tha se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është pjesë përbërëse e procesit të afrimit me Bashkimin Evropian.
“Kjo çështje nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe, në përputhje me rrethanat, nëse nuk ka guxim politik për të arritur një zgjidhje. Në këtë kuptim, dëshiroj të përgëzoj autoritetet kompetente serbe për vendimet e marra në fund të vitit të kaluar për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Ne kemi ndarë me partnerët tanë evropianë se sa të shqetësuar jemi për lëvizjet e fundit të njëanshme të Kosovës, të cilat nuk dërgojnë sinjal të mirë. Të jeni të sigurt se Franca do të vazhdojë të monitorojë kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë me vëmendje të veçantë dhe në këtë kontekst ne jemi veçanërisht të përkushtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Macron.
Ai theksoi se mesazhi i tij sot është mbi të gjitha mesazh vendosmërie dhe besimi.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e investuara në ndërmjetësimin evropian për të arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjë që është e një rëndësie kyçe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë marrëdhëniet tuaja me të gjithë partnerët do të përmirësohen. Do të kemi lëvizje të lirë të qytetarëve dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tuaj”, tha Macron.