UBT News

Macroni kritikohet nga rivalët politikë se ‘e përdori presidencën e BE-së për të tërhequr vota’

Presidenti francez Emmanuel Macron është zotuar ta bëjë Bashkimin Evropian më të fuqishëm pasi vendi i tij mban presidencën e bllokut për gjashtë muaj – megjithatë ai është akuzuar nga rivalët e tij politikë për përdorimin e pozicionit për të tërhequr vota.

Macron gjatë së mërkurës foli me anëtarët e Parlamentit Evropian në Strasburg, duke detajuar prioritetet e Francës për presidencën e rradhës gjashtëmujore të bllokut.

Macron tha se dëshiron të shtojë ndryshime në kartën e të drejtave themelore të BE-së për ta bërë atë “më të qartë në lidhje me mbrojtjen e mjedisit dhe njohjen e së drejtës për abort”.

Duke i bërë jehonë shqetësimeve të disa votuesve francezë, ai i bëri thirrje gjithashtu BE-së të vendosë një pagë minimale “të mirë” në të gjithë bllokun dhe të punojë në uljen e pabarazive dhe luftimin e diskriminimit.

Ndërsa e djathta ekstreme franceze vendosi imigracionin dhe sigurinë në qendër të fushatës presidenciale, Macron u zotua të përforcojë kufijtë e jashtëm të unionit dhe të çmontojë rrjetet e kontrabandistëve.

Një seri eurodeputetësh francezë kritikuan fjalimin e Macron, duke sugjeruar se ai po promovon kandidaturën e tij në vend që të kujdeset për çështjet e BE-së. Mes tyre Yannick Jadot, kandidat për president të Francës.

Ndërsa Jordan Bardella iu drejtua presidentit me një pyetje.

“Zgjedhjet presidenciale do të vendosin për të ardhmen e Francës, por edhe të gjithë Evropës. Si mund të pretendoni se do ta bashkoni Evropën kur keni qenë deri në fund ai që zgjeron ndarjet në Francë?” pyeti ai.

“Për Francën dhe për Evropën, është thelbësore që mandati juaj të mbetet një mandat i vetëm”, shtoi Bardella.

Edhe ligjvënësja e ekstremit të majtë Manon Aubry kritikoi veprimet presidenciale të Macron si reflektim të “arrogancës, pafuqisë dhe mashtrimit”.

“Presidenca franceze (e BE-së) nuk duhet të jetë një hap elektoral”, tha ajo.

Megjithatë, Macron mohoi se ambiciet e tij të brendshme luajnë ndonjë rol në presidencën franceze të Këshillit të BE-së./UBTNews/

Exit mobile version