UBT News

Macroni e paralajmëron rikthimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit

Fuqitë evropiane thuhet se do t’i rivendosin sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit pasi rundi më i ri i bisedimeve me Teheranin me qëllim të parandalimit të kësaj mase u vlerësua si joserioz, tha presidenti francez, Emmanuel Macron.

Britania, Franca dhe Gjermania, që njihen edhe si grupi E3, nisën një proces 30-ditor në fund të gushtit për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së.

Ato caktuan kushte që duhej të plotësoheshin nga Irani gjatë shtatorit për t’i bindur që ta shtynin mekanizmin e rikthimit të sanksioneve.

Oferta e tri fuqive evropiane për shtyrjen e rikthimit të sanksioneve për deri në gjashtë muaj për të mundësuar bisedime serioze u bë me kushtin që Irani t’ua rikthente qasjen inspektorëve bërthamorë të Kombeve të Bashkuara të cilët gjithashtu do të kërkonin llogari për rezervat e mëdha iraniane të uraniumit të pasuruar si dhe përfshirjen në bisedime me Shtetet e Bashkuara.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha se ai u kishte paraqitur një plan të arsyeshëm dhe të zbatueshëm homologëve të grupit E3/EU për të shmangur një krizë të panevojshme dhe të shmangshme ditëve në vijim.

Në një shkrim në rrjetin X, kryediplomati iranian tha se propozimi i vendit të tij adreson shqetësime të sinqerta dhe e përshkroi atë si fitimprurës në mënyrë reciproke, por nuk dha hollësi të mëtejme për përmbajtjen.

Ministrat e jashtëm të vendeve të grupit E3, kryediplomatja e Bashkimit Evropian dhe homologu i tyre iranian zhvilluan të mërkurën një bisedë telefonike, në të cilën diplomatët e të dyja palëve thanë se nuk pati progres substancial, ndonëse dora ishte ende e hapur për të bërë përpjekje drejt arritjes së një marrëveshjeje para skadimit të afatit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili ka 15 shtete anëtare, do të votojë të premten një rezolutë me të cilën Iranit do t’i hiqeshin në mënyrë të përhershme sanksionet e Kombeve të Bashkuara./S.K/EO/

 

Exit mobile version