UBT News

Macron: Vuçiq t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha sot se është përgjegjësi e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që t’i dënojë sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku e u plagosën dy të tjerë.

Në një konferencë për media të mbajtur me rastin e vizitës në Tiranë, Macron tha po ashtu se ka ndjekur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe se është përgjegjësi e të dyja palëve që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës.

“Siç e dini, ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogadit. Franca e Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes, që mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim të respektohet nga të dyja palët. Mendoj se është përgjegjësi e Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët [pala kosovare dhe serbe] është e thjeshtë: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj radhe plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, tha ai. 

Exit mobile version