Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri polak Donald Tusk kanë shprehur shqetësimin e tyre për krizën politike në Gjeorgji, duke theksuar se tensionet e fundit mund të rrezikojnë perspektivën e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në një deklaratë të përbashkët, tre liderët paralajmëruan se Gjeorgjia duhet të angazhohet seriozisht për reforma dhe të largohet nga çdo legjislacion që shkel vlerat evropiane, në të kundërtën, ata nuk do të mbështesin hapjen e negociatave për anëtarësim.
Protestat masive në kryeqytetin Tbilisi kanë shpërthyer pas zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar, të cilat shumë qytetarë i konsiderojnë si të manipuluara nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane. Kjo parti, e cila ka lidhje të ngushta me Moskën dhe qeveris që nga viti 2012, deklaroi se ka fituar 54% të votave. Megjithatë, presidentja proevropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, ka kundërshtuar hapur rezultatin e zgjedhjeve, duke akuzuar për ndërhyrje nga Rusia dhe manipulime masive.
Në kontekstin e kësaj krize politike, Macron, Scholz dhe Tusk kanë bërë thirrje për reforma të thella dhe kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për të forcuar marrëdhëniet me BE-në do të varet nga angazhimi i Gjeorgjisë për të respektuar standardet demokratike. Ata lëshuan këtë deklaratë mëngjesin e së enjtes, pikërisht në ditën kur rreth 50 liderë evropianë pritet të mblidhen në Budapest për diskutime mbi mbështetjen për Ukrainën, çështjet e emigracionit dhe sigurinë ekonomike./UBTNews/