Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme në Francë. Në një intervistë për gazetën “Le Figaro”, ai shpjegoi se vendimi për të shpërndarë parlamentin dhe për të shpallur zgjedhjet e reja u ndikua nga tensionet në parlament dhe mungesa e bashkëpunimit nga opozita. Ky vendim u përforcua nga fitorja e së djathtës ekstreme “Rigrupimi Kombëtar” në Parlamentin Evropian.
Macron tha se shpërndarja e parlamentit ishte e nevojshme dhe i bëri thirrje qytetarëve të votojnë për të ndalur radikalizmin që rrezikon vendin. Ai shprehu besimin se institucionet dhe roli i presidentit mbeten të qarta, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, që do të mbahen më 30 qershor dhe 7 korrik.
Ndërkohë, lideri i “Republikanëve”, Eric Ciotti, ka shprehur mbështetjen për një aleancë të mundshme me “Rigrupimin Kombëtar” të Marine Le Pen, duke theksuar nevojën për të ndërtuar aleanca për të shmangur rreziqet për vendin. Ky qëndrim ka shkaktuar përçarje brenda partisë, me disa figura të njohura që shprehen kundër këtij bashkëpunimi./UBTNews/