UBT News

Macron për pezullimin e tarifave: Derë për negociata, duhet të kemi kundërmasat tona

Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar me shqetësim ndaj vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të pezulluar për 90 ditë tarifat ndaj disa vendeve, duke e cilësuar këtë hap si “të brishtë” dhe një burim pasigurie për bizneset ndërkombëtare.

Në një postim të publikuar të premten në rrjetin X, Macron u shpreh: “Pezullimi i pjesshëm dërgon një sinjal dhe lë derën hapur për dialog. Por kjo pauzë është e brishtë.”

Presidenti francez shtoi se periudha 90-ditore e pezullimit “do të thotë 90 ditë pasiguri për të gjitha bizneset tona, në të dy anët e Atlantikut dhe përtej.”

Macron thekson se BE duhet të vijojë negociatat me SHBA për tarifat, por duhet të punojë dhe për kundërmasat për të mbrojtur veten.

Evropa duhet të vazhdojë të punojë për të gjitha kundërmasat e nevojshme dhe të mobilizojë të gjitha levat në dispozicion për të mbrojtur veten. Ne kemi të drejtë të luftojmë, janë punët dhe jetët e vendeve tona në rrezik”, ka deklaruar presidenti francez.

Reagimi i Macron vjen në një kohë kur tregjet globale janë tronditur ndjeshëm nga përshkallëzimi i luftës tregtare mes SHBA-së dhe Kinës. Indekset kryesore në Azi shënuan rënie të ndjeshme të premten, ndërsa analistët shprehen të shqetësuar për paqëndrueshmërinë që po krijon kjo situatë në ekonominë botërore.

Megjithëse Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se pezullimi i tarifave është një hap drejt negociatave me dhjetëra vende, përfshirë Kinën, skepticizmi ndër partnerët ndërkombëtarë mbetet i lartë.

Macron është një nga liderët e parë evropianë që ka kundërshtuar publikisht vendimin e Trump, për vendosjen e tarifave ndaj aleatëve.

Exit mobile version