Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka deklaruar se nga Kosova dhe Serbia presin një angazhim të qartë për zgjedhjet komunale në veri dhe se Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështjeve të tjera ekonomike që do të rishikohen nëse të dyja palët nuk arrijnë të sillen me përgjegjësi.
Macron në një fjalimin vjetor drejtuar ambasadorëve, ka thënë se presin nga institucionet e Kosovës që të sjellë paqe në veri.
“Presim një angazhim të qartë nga të dyja palët, kur bëhet fjalë për zgjedhjet komunale pritet angazhim i Serbisë në organizatat përkatëse për njohjen e komunave në veri… Në emër të autoriteteve të Kosovës ne presim që paqja të sillet në këtë situatë, Franca dhe Gjermania kanë bërë ato zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështjeve të tjera ekonomike që do të rishikohen nëse të dyja palët nuk arrijnë të sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi jashtëzakonisht vigjilentë në këtë front, veçanërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha ai.
Ai ka folur edhe për propozimin franko-gjerman për Kosovën e Serbinë.
“Le të jemi vigjilentë kur bëhet fjalë për situatën e sigurisë dhe situatën politike në Ballkanin Perëndimor. Në këtë front së bashku me Gjermaninë kemi një udhërrëfyes të ri, një propozim të ri që është mbështetur nga negociatorët evropianë dhe përfaqësuesit tanë, kështu që presim një angazhim”, tha ai.
Përndryshe, BE ka vënë sanksione ndaj Kosovës pas zhvillimeve në veri të vendit, sanksione të cilat ene vazhdojnë.