Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se personalisht do të mbetet i angazhuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e para së gjithash në krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
“Në vitin 2019, kur fola për çështjen e Kosovës, fola për guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Të bindur se ky guxim ekziston në Serbi, ne, së bashku me Gjermaninë dhe partnerët tanë evropianë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, donim të ndihmonim rajonin të shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura, ngritjen e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë”, ka thënë ai për gazetën serbe “Politika”.
Ai ka thënë se rruga që propozuan drejt normalizimit të nevojshëm ruan thelbin: mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë; por edhe ekzistenca e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe.
“Kjo rrugë është e trasuar: çdo gjë që ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë dhe, duke pasur parasysh ndjenjat e forta të serbëve për këtë çështje, duke i respektuar ata, ftoj Serbinë dhe ftoj të rinjtë në Serbi të zgjedhin paqen dhe të zgjedhin të ardhmen. Personalisht do të mbetem e angazhuar, pasi jam i sigurt se BE-ja në tërësi do të mbetet në zbatimin e Marrëveshjeve të Ohrit dhe, para së gjithash, në krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka shtuar Macron.
Kreu i shtetit francez do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Serbi sot dhe nesër.