Presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të zhvillojë bisedime me rivalët e tij politikë këtë të martë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për të formuar një qeveri funksionale.
Macron do të kërkojë mbështetjen e një ose disa partive të vogla për të kaluar reformat në Asamblenë Kombëtare, pasi humbi shumicën në parlament pas zgjedhjeve të së dielës, shkruan Euronews.
Gjashtë nga kundërshtarët politikë të Macron do të mbërrijnë në Pallatin Elysee dhe do të zhvillojnë takime të ndara, duke përfshirë udhëheqësen e ekstremit të djathtë Marine Le Pen.
Disa nga liderët e partive politike kanë kërkuar tashmë dorëheqjen e kryeministres, Elisabeth Borne.
Edhe pse koalicioni i Macron, Ensemble fitoi numrin më të madh të vendeve në parlament 245, nuk mundi të sigurojë shumicën absolute.
Të dytët u renditen koaliconi Nupes me 131 deputetë. Partia e Marine Le Pen renditet e treta me 89 vende.
Abstenimi ishte një tjetër zhgënjim i këtyre zgjedhjeve. 53% e francezëve zgjodhën të mos votojnë në shenjë proteste apo indiference.