UBT News

Macron kërkon masa të ashpra pas sulmeve të fundit ruse

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka kërkuar masa të ashpra nëse Rusia vazhdon të bllokojë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje për luftën në Ukrainë, ndërkohë që sulmet vdekjeprurëse ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë pa ndërprerje.

Macron shkroi në platformën X se “sulmet e Rusisë duhet të marrin fund” dhe shtoi se është e nevojshme një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur. Ai gjithashtu theksoi se, nëse Rusia vazhdon të refuzojë paqen dhe të përpiqet të fitojë kohë, do të duhen masa të ashpra.

Deklarata e presidentit francez erdhi pas një sulmi rus në Kiev, ku një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën. Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Rusia lëshoi më shumë se 1,460 bomba rrëshqitëse, rreth 670 dronë dhe mbi 30 raketa në Ukrainë vetëm javën e kaluar. Po ashtu, 18 persona, përfshirë nëntë fëmijë, humbën jetën në një sulm me raketa në Kryvyi Rih të premten.

Ndërkohë, Rusia vazhdon të refuzojë propozimin e SHBA-së për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, duke kërkuar ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe kushtëzuar bisedimet për paqe me kërkesa të tjera./UBTNews/

 

Exit mobile version