Presidenti francez, Emmanuel Macron ka kërkuar “armëpushim të menjëhershëm” në Gaza, sipas një njoftimi për shtyp nga Pallati Elysee. Njoftimi u publikua në periudhën kur ai e priti në pallat presidentin izraelit, Isaac Herzog, vetëm pak orë para fillimit të ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Paris 2024.
Për shkak të përshkallëzimit të luftës në Gaza, pjesëmarrja e ekipit izraelit ka qenë temë diskutimi brenda komunitetit pro-palestinez.
“Përballë numrit të madh të viktimave në mesin e popullsisë civile të Gazës dhe situatës së paqëndrueshme humanitare, presidenti bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm, i cili mundëson lirimin e të gjitha pengjeve të Hamasit, përfshirë edhe dy bashkatdhetarët tanë, si dhe shpërndarjen e ndihmave mjekësore dhe humanitare”, thuhet në njoftimin për shtyp./UBTNews/