Emmanuel Macron vlerësoi “vullnetin e Liz Truss për të ecur përpara” ndërsa dyshja u takuan për herë të parë që kur kryeministrja britanike tha se “ende nuk është vendosur” nëse ata do të ishin miq apo kundërshtarë.
Udhëheqësi francez dhe ajo britanike u takuan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën, ku diskutuan sigurinë energjetike dhe rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës.
Megjithatë, ata nuk diskutuan dy çështje të nxehta që kanë dominuar marrëdhëniet anglo-franceze në vitet e fundit – protokolli i Irlandës së Veriut pas Brexit për tregtinë ose migrimin nëpër Kanal.
Në fushatën e saj për t’u bërë udhëheqëse e Partisë Konservatore, Truss ndezi zemërim teksa u zotua të gjykonte presidentin francez nga “veprat e jo fjalët” e tij dhe paralajmëroi se “ende nuk është vendosur” nëse ai është “miku apo kundërshtarë i Britanisë”.
Duke folur pas takimit të tyre, Macron u tha gazetarëve: “Unë besoj në prova dhe rezultate. Ekziston një vullnet për t’u riangazhuar, për të ecur përpara dhe për të treguar se jemi miq dhe aleatë në një botë komplekse”.
Ndërsa Truss u tha gazetarëve se donte të punonte “në mënyrë konstruktive” me presidentin francez.
Zëdhënësi i liderës së Mbretërisë së Bashkuar tha më pas “ky ishte toni dhe tendenca e takimit dypalësh”, ndërsa nga pala franceze takimi u përshkrua si “i qetë”.
Ata mohuan se protokolli i Irlandës së Veriut – burimi i një grindjeje të zgjatur dhe të vazhdueshme midis Brukselit dhe Londrës – ishte lënë mënjanë sepse ishte shumë i vështirë politikisht, duke thënë: “Ne duam ta zgjidhim këtë me BE-në dhe kjo nuk është një çështje që mund domosdoshmërisht të zgjidhet nga një vend i vetëm i BE-së”.
Megjithatë, Truss nuk do të jetë në gjendje t’i shmanget temës të mërkurën kur të takohet me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidentin e SHBA-së, Joe Biden.
Këshilltari për sigurinë kombëtare të Biden, Jake Sullivan, tha në një konferencë shtypi të martën se dyshja do të flasin për Irlandën e Veriut “në disa detaje”./UBTNews/