Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin të “kthehet në tavolinën e bisedimeve” dhe u zotua se Franca do të dorëzojë sisteme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë, në mes të një fushate të re masive bombardimesh ruse.
Në një intervistë televizive, presidenti francez kritikoi homologun e tij rus se e ka përfshirë Evropën edhe më shumë në luftë me sulmet e fundit të raketave dhe urdhrin e përgjithshëm të mobilizimit për të përforcuar ushtrinë.
“Sot, para së gjithash, Vladimir Putin duhet të ndalë këtë luftë, të respektojë integritetin territorial të Ukrainës dhe të kthehet në tavolinën e bisedimeve”, i tha ai kanalit televiziv publik France 2, të mërkurën mbrëma.
Bombardimet ruse të kësaj jave, që synuan infrastrukturën energjetike dhe civilët, ishin një përpjekje për të thyer rezistencën ukrainase, tha presidenti francez./UBTNews/