Emmanuel Macron duhet të emërojë një kryeministër për të kaluar buxhetin dhe më pas të thërrasë zgjedhje të parakohshme presidenciale për të zgjidhur krizën politike në Francë, ka deklaruar kryeministri i tij i parë. Komentet e Edouard Philippe vijnë pasi kryeministri i tretë i Francës brenda një viti, Sebastien Lecornu, dha dorëheqjen të hënën, pasi përpjekja e tij për të formuar një qeveri dështoi.
Macron i ka kërkuar atij të përgatisë një plan të fundit për stabilitet deri të mërkurën – por duket se mbështetja për presidentin francez po bie, madje edhe mes aleatëve të tij, shkruan BBC.
Philippe ishte kryeministër nga viti 2017 deri në 2020.
Ndërkohë, Gabriel Attal – i cili udhëheq partinë e Macronit, Renaissance, dhe ishte kryeministër për gjashtë muaj në vitin 2024 – doli në televizionin kombëtar të hënën në mbrëmje për të deklaruar se “nuk i kupton më vendimet që po merr presidenti i republikës”.
Presidenti kishte tentuar të rivendoste kontrollin tri herë gjatë vitit të kaluar, tha Attal, dhe tani ishte koha për të ndarë pushtetin me partitë e tjera: “Mendoj se duhet të provojmë diçka tjetër.”
Deri më tani, presioni ndaj presidentit 47-vjeçar për të dhënë dorëheqjen ka ardhur kryesisht nga kundërshtarët e tij politikë në të majtën radikale dhe të djathtën ekstreme. Ndërhyrjet publike nga aleatët e tij tregojnë sa serioze është bërë kriza politike.
Macron, i cili është në detyrë që nga viti 2017, u kap në video duke ecur i vetëm pranë lumit Sena në Paris të hënën, i ndjekur nga truprojat e tij, ndërsa kriza e fundit shpërthente rreth presidencës së tij.
Rrethi i ngushtë i tij ka lënë të kuptohet se ai do të “marrë përgjegjësinë” nëse dështojnë bisedimet e fundit të Lecornut, pa specifikuar se çfarë do të thotë konkretisht kjo.
Blloku qendror i Macronit humbi shumicën parlamentare pasi ai thirri zgjedhje të parakohshme parlamentare, në përgjigje të një humbjeje në zgjedhjet për Parlamentin Evropian vitin e kaluar./D.B/KP