Presidenti francez Emmanuel Macron tha se do t’i drejtohej qytetarëve këtë të mërkurë lidhur me pasigurinë aktuale globale në vazhdën e ndryshimit rrënjësor në politikën amerikane ndaj Ukrainës nën drejtimin e Donald Trump.
“Të dashur bashkatdhetarë të mi, do t’ju drejtohem sonte në orën 20:00 në këtë moment të pasigurisë së madhe kur bota po përballet me sfidat e saj më të mëdha,” shkroi Macron në X.
Në fazën fillestare pas pushtimit rus të shkurtit 2022, Macron zhvilloi vazhdimisht bisedime telefonike me presidentin Vladimir Putin. Por kontakti i tyre i fundit i tillë daton në shtator 2022.
Ndërkohë, vendet në Evropë po përpiqen të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse mes dyshimeve në rritje mbi angazhimin e administratës amerikane për të mbrojtur Evropën.