UBT News

Macaulay Culkin rikthehet si Kevin McCallister në një reklamë të re “Home But Not Alone”

Aktori 45-vjeçar, i njohur për rolin e djaloshit të zgjuar Kevin McCallister në filmat klasikë të viteve ‘90, “Home Alone” (1990) dhe “Home Alone 2: Lost in New York” (1992), është rikthyer në këtë rol për një reklamë të re.

Ajo mban titullin “Home But Not Alone”, për kompaninë Home Instead, që ofron kujdes në shtëpi për të moshuarit.

Në këtë fushatë, qëllimi i Kevinit nuk është të mbrojë shtëpinë nga hajdutët, por të sigurohet që nëna e tij, Kate McCallister, e luajtur përsëri nga aktorja 71-vjeçare Catherine O’Hara, të jetë e sigurt dhe e kujdesur në shtëpi.

Reklamat e reja fillojnë me hartë të vizatuar me dorë, të quajtur “Plani i Sigurisë së Mamit”, ku shënohen zonat e rrezikshme dhe këshilla si “fikso qilimin që të mos pengohet”, “ngre kapakun e tualetit” dhe “instalo shkallën elektrike”.

Në video, Kevin shihet duke mbështjellë dekorimet e jashtme me plastikë mbrojtëse.

“Jam i shqetësuar që mami po rri vetëm, e kupton? Po sikur të rrëzohet ose të bllokohet nga bora? Ata kurrë nuk e kapën atë ‘South Bay Shovel Slayer’,” thotë Kevin në reklamë, duke risjellë humorin e njohur nga filmat origjinalë.

Në një moment të veçantë, dëgjohet zhurma e një lopate, që e çon Kevinin drejt një takimi me mbesën e Marleyt, një referencë nostalgjike për fqinjin e njohur nga filmi i parë.

Ajo e këshillon: “Ke provuar të flasësh me të për të marrë pak ndihmë? Nuk është e lehtë, por ndjenjat për familjen janë të ndërlikuara.”

Regjisori i reklamës, Jody Hill, tha se ka dashur të tregojë historinë në mënyrë autentike dhe origjinale, duke reflektuar momentet që të gjithë mund të përjetojnë kur prindërit plakën.

“Kjo s’është thjesht nostalgji festive, por mënyrë për t’u lidhur me Kevin disa vite më vonë. Është qesharake, e vërtetë e njerëzore,” tha Hill.

“Home But Not Alone”  transmetohen gjatë shfaqjeve, programeve festive e ndeshjeve të futbollit amerikan deri më 11 janar. Culkin ka xhiruar klipe shtesë, duke rikrijuar skena që fansat e filmave të viteve ‘90 i njohin mirë, si momenti kur qeset e ushqimeve i bien nga duart.

Edhe pas më shumë se tri dekadash nga filmi i parë, Culkin thotë se lidhja me Kevinin mbetet e fortë dhe tani e ndan këtë eksperiencë edhe me familjen e tij. Në dhjetor 2024, ai tregoi se djali i tij katërvjeçar, Dakota, ngatërron kujtimet e veta me skena nga filmi:

“Ai mendon se është Kevini. I them, ‘A e mban mend kur zbrite shkallët me slitë?’ Dhe ai më thotë ‘Po, sigurisht’. I them ‘A e mban mend kur kishe flokë të verdha?’ Dhe ai thotë ‘Po’,” tha aktori duke u qeshur.

Përndryshe, Macaulay Culkin më parë kishte xhiruar edhe një reklamë për Google Assistant, duke përdorur parodi të inspiruara nga filmi ikonik. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version