Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë përmes një aktiviteti sot kërkoi nga komuna të reagojë urgjent në lidhje me mbeturinat, në të kundërtën sipas tyre, adresa ku duhet hudhur mbeturinat qytetarët është komuna. Kjo ndodhi pasi punëtorët e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi” janë në grevë për ngritje të pagave.
Derisa vendosën letra në mure të komunës me mbishkrimin “Rama: Përmes menaxhimit efikas të mbeturinave, ne do të ndryshojmë tërësisht pamjen e qytetit”, ata fajësuan dy partitë më të mëdha opozitare për keqmenaxhim të qeverisjes në lidhje me këtë.
Aktivisti Denis Krasniqi tha se sot ne ditën që njihet si Dita e Verës, ne vend se të flitet për përmirësimin e hapësirave të gjelbërta e të mbrohen ato, sipas tij, ende duhet të merren me një problem siç është papastërtia.
“Lagjet tona janë mbushur me mbeturina. Trotuaret, rrugicat e parqet, veçse kanë filluar të kundërmojnë. Prishtina kurrë nuk ka qenë me keq në këtë pikë. Duke e ditur rrezikun që shkakton ky fenomen në përhapjen e viruseve e sëmundjeve të ndryshme, në shtimin e numrit te qeneve endacak, e në shumë aspekte tjera, duhet reagim urgjent i komunës”, tha Krasniqi.
Po ashtu, ai tha se nga premtimet e shumta gjatë fushatës të partive opozitare, PDK dhe LDK në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi, sipas tij nga mosveprimi i tyre gjendja veçse është rënduar edhe më shumë.
Krasniqi tha se nëse nuk marrin ndonjë masë urgjente, adresa ku duhet t’i hedhin mbeturinat qytetarët sipas tyre është objekti i komunës.
“E sot kur kanë kaluar 462 ditë prej kur LDK e PDK qeverisin bashkë në komunë, situata me mbeturina vetëm se është degraduar edhe më shumë dhe gjendja është bërë alarmante. Dhe të vetmit që këtë situatë nuk po e shohin janë komunarët në pushtet. Andaj sot mbeturinat që nuk po i largon kompania “Pastrimi”, i larguam ne në disa pika nga qendra e qytetit dhe i sollëm te komuna, e cila duhet t’i heq edhe këto edhe të tjerat në rrugët e Prishtinës. Pra, nëse komuna nuk bënë zgjidhje për këtë problem, atëherë adresa ku duhet t’i hedhim mbeturinat është kjo, komuna e Prishtinës”, tha mes tjerash Krasniqi.
Ndërkohë, lidhur me këtë, reagoi edhe kryetari i kësaj komune, Përparim Rama në një postim në Facebook.
Rama u shpreh se kjo situatë është e papranueshme edhe pse e kuptojnë zhgënjimin e punëtorëve dhe e njohin të drejtën e tyre për të protestuar, por sipas tij, vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit.
I pari i kësaj komune theksoi se janë të angazhuar me ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
“Me shqetësim të madh po e adresoj grevën e fundit të punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”. Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë. Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme. Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti. Ndërkohë, ne jemi duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat. Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën”, shkroi Rama.
Punëtorët e “Pastrimit” të hënën kanë mbajtur grevë për ngritje të pagave dhe si pasojë e kësaj, ata nuk kanë dalur për të mbledhur mbeturinat. Nga kompania “Pastrimi” kanë konfirmuar se greva është duke vazhduar edhe sot.
Si pasojë e kësaj greve, pranë kontenjerëve në Prishtinë vërehet sasi e madhe e mbeturinave.