Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar qeverisjen e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Në 1-vjetorin e marrjes së detyrës së Ramës, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet vendosën në sheshin “Nëna Terezë” 12 imazhe, që sipas tyre paraqesin dështimin e kreut komunal në Prishtinë.
Asamblisti i LVV-së, Gëzim Sveçla tha se kryetari Rama e ka futur Prishtinën në katrahurë dhe kaos, ku jeta e qytetarëve është vështirësuar.
“Përmes këtyre 12 pamjeve që i kemi marrë nëpër lagje të qytetit i kemi paraqitur këta 12 muaj të koalicionit LDK-PDK në Prishtinë. Nëse qëndron thënia ‘një foto vlen sa 1000 fjalë’, atëherë këtu kemi 12 mijë fjalë që përshkruajnë katrahurën dhe kaosin në të cilin e kanë futur Prishtinën. Për një vit qeverisje të tyre nuk ka dyshim se jeta e qytetarit të Prishtinës është bërë më e rëndë, më vështirë dhe më pak kualitative se ka qenë para një viti. Sot ka më shumë mbeturina, më shumë rrezik nga qentë endacakë, më shumë tollovi, kolona, pritje, vonesa, parking më të shtrenjtë, taksi me çmime më të larta, më shumë gropa në rrugë, më pak gjelbërim dhe ndriçim. E tëra që kemi parë këto 12 muaj janë disa veprime kozmetike të kryetarit Rama dhe drejtorëve të tij dhe disa vendime të paanalizuara dhe të pamenduara mirë, të cilat veçse e kanë përkeqësuar gjendjen edhe ashtu skajshmërish të keqe”, tha Sveçla.
Ai shtoi se Rama është kryetari me numrin më të ulët të premtimeve të realizuara, derisa Prishtina është e parafundit për nga investimet kapitale.
“I ka bërë saktësisht 206 premtime, por për një vit të gjitha këto mbeten ashtu siç ishin në fillim, vetëm premtime në letër dhe asgjë tjetër. Për më tepër kryetari Rama dhe koalicioni i tij nuk e kanë prezantuar fare programin qeverisës…Për një vit asnjë dëshmi e kreativitetit, asnjë ide inovative, veç testime dhe kamuflime. Është kryetari më numrin më të ulët të premtimeve të realizuara. Prishtina është qyteti i parafundit në Kosovë sa i përket realizimit të investimeve kapitale”, theksoi ai.
Në anën tjetër, asamblistja tjetër nga partia Guxo, Tiera Kasumi-Berisha, tha se ky vit ka qenë vit jo i mirë për Prishtinën
“Ky vit që lamë pas dhe që ishte vit i mbrapsht për Prishtinën. Uroj të mos përsëritet dhe të harrohet sa më parë. Si vit i karakterizuar me çudira të politik bërjes në nivel lokal dhe deri tek keq menaxhimi dhe eskalimi i situatës në shumë fusha”, deklaroi ajo.
Pas fitores në zgjedhjet lokale, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama mori detyrën më 7 dhjetor 2021.