Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje është mburrur për numrin e madh të projektligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2022.
Sipas shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, legjislativi ka miratuar 102 projektligje gjatë këtij viti, ndërsa 49 projektligje të tjera janë miratuar në lexim të parë dhe janë në procedurë të rregullt për t’iu dhënë dritë të gjelbër në fillim të vitit të ardhshëm.
Në konferencë për medie të martën, Kusari-Lila tha se edhe mbarëvajtja e seancave plenare ka qenë efektive në vitin 2022.
“Në seancat e mbajtura në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë miratuar 102 projektligje, flas për projektligjet në dy leximet, të miratuara dhe të përmbyllura. Ndërsa 49 projektligje aktualisht janë në procedurë, janë miratuar në lexim të parë dhe presin në shqyrtim të dytë në sesionin pranveror të vitit 2023”, tha ajo.
Ndërkaq, deputeti tjetër i mazhorancës, Adnan Rrustemi tha se puna e Kuvendit gjatë këtij viti është më e mira që është bërë ndonjëherë.
“Është puna më produktive që është bërë ndonjëherë në kuptimin e miratimit të ligjeve në gjitha legjislaturave të kaluara të Kuvendit të Kosovës. Ligjet e rëndësishme të miratuara përveç agjendës evropiane janë edhe ligjet e reformës në drejtësi dhe ligjet që kanë të bëjnë me komponentin e sundimit të ligjit”, theksoi ai.
Në anën tjetër, Kusari-Lila, foli edhe për pritjet e saj në sesioni pranveror të Kuvendit, ku tha se shumë shpejt do të trajtohet edhe kodi civil, i cili ishte rrëzuar një herë në Kuvend gjatë këtij viti.
“Sa i përket kodit civil është një procedurë e cila pritet të trajtohet ose është në procedurë për vitin 2023. Ka pasur diskutime të shumta, por po flasim për një ndër dokumentet më të rëndësishme, atë pas Kushtetutës të Kosovës në raport me rregullimin e jetës së gjithë qytetarëve prej lindjes deri në vdekje. Fokusi do të jetë ashtu siç e meriton Kodi Civil, trajtimin në përgjithësi në gjitha komponentët e saj”, tha ajo.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe situatës në veri, shefja e deputetëve të LVV-së, tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq përmes barrikadave në veri po synon shmangien e arritjes së marrëveshjes finale.
Ajo u shpreh e matur në dhënien e afateve për largimin e barrikadave në veri, por tha se të njëjtat duhet të hiqen sa më parë.
“Gjitha ngjarjet tjera dhe këto që lidhen me vendosjen e barrikadave synim kanë parandalimin e arritjes së kësaj marrëveshje. Kjo tregon se në momentin kur dialogu është kthyer në binar të diskutimit mbi parimet dhe procesin i cili ka qendër njohjen e ndërsjellët ka filluar rezistenca dhe bojkoti tashmë i njohur nga të gjithë nga ana e Serbisë… Ngjarjet që po ndodhin në katër komunat në veri të Kosovës janë ato të cilat po provokohen drejtpërdrejtë nga Serbia për destabilitet për të humbur fokusin nga përgjegjësia e Vuçiqit dhe qeverisë në Serbi. Prandaj nuk isha lëshuar në detaje në dhënien e afateve, datave dhe kohës, nënkuptohet që ato duhet të hiqen sa më parë. Tashmë është pakontestueshëm qëndrim edhe i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe jashtë Kosovës. Por situatë të tillë nuk i konvenon askujt përveç atyre që dëshirojnë destabilitet në Kosovë”, nënvizoi Kusari-Lila.
Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet e sesionit vjeshtor, derisa do të fillojë punën në javën e tretë të muajit janar në vitin 2023.