UBT News

​LVV-ja thotë se nuk merr pjesë në seancën për buxhetin në Prishtinë

Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme që sipas tyre është thirrur të mbahet sot për miratimin e buxhetit për vitin 2026.

Sipas Vetëvendosjes, kryetar i Kryeqytetit, Përparim Rama, “e ka sjellë për votim buxhetin në mënyrë të njëanshme, pa asnjë konsultim paraprak dhe duke i anashkaluar anëtarët e Kuvendit Komunal e qytetarët e Prishtinës”.

Mungesë totale e transparencës. Dokumenti më i rëndësishëm i Kuvendit, buxheti për vitin pasues, nuk mund të trajtohet si pronë personale e tij”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas kësaj partie, në këtë projektbuxhet janë përfshirë edhe projekte që “tashmë janë objekt hetimesh nga organet e drejtësisë, por edhe projekte të tjera të fryra, të paarsyetuara dhe të hartuara vetëm për të mbuluar gjurmët e keqpërdorimeve të deritanishme”.

Në komunikatën e LVV-së thuhet se ky është një buxhet që tenton të fshehë “skandalet e vjetra dhe të prodhojë skandale të reja”.

Ne nuk kemi votë për të legalizuar mashtrimet politike të Përparim Ramës dhe drejtorëve të tij”, tha LVV-ja.

Sipas Vetëvendosjes, buxheti i Prishtinës duhet të jetë instrument zhvillimi për qytetarët, “jo mjet për mbijetesën politike të Përparim Ramës”./D.B/KP

Exit mobile version