Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka bërë të ditur se së bashku me deputetin Ilir Kërçeli kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dokumentacionin lidhur me kontratën për ndriçimin publik “Smart”, për të cilën pretendojnë se ka pasur parregullsi dhe se është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës.
Sveçla tha se bëhet fjalë për dy kontrata të nënshkruara në korrik të vitit 2024 dhe në prill të vitit 2025, të cilat, sipas tij, kanë dallime të mëdha në çmime për pozicione dhe punë të njëjta.
Ai deklaroi se kanë dorëzuar në Prokurori të gjeturat e tyre, duke kërkuar nisjen e hetimeve dhe përgjegjësi për personat që mund të kenë kryer shkelje.
Ndërkaq, deputeti Ilir Kërçeli tha se në kontratën e dytë disa pozicione janë paraparë me çmime dukshëm më të larta sesa në kontratën e parë.
Sipas tij, disa pozicione që në kontratën e parë kushtonin 90 euro, në të dytën janë paraparë me çmim prej 300 eurosh, ndërsa të tjera kanë kaluar nga 50 në 250 euro.
Kërçeli kërkoi që Prokuroria t’i hetojë këto dallime, duke ngritur edhe dyshime nëse punimet e parapara në kontratën e parë janë realizuar nga kompania përfituese.
Ai pretendoi se disa nga punimet mund të jenë përfunduar nga kompania që fitoi kontratën e dytë, në vlerë prej 10 milionë eurosh.
Në fund, Kërçeli iu referua edhe deklarimeve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se përgjegjësia ndaj kryeqytetit nënkupton edhe evidentimin e parregullsive dhe kërkimin e llogarisë nga personat përgjegjës.
Deri në këtë fazë, bëhet fjalë për pretendime të paraqitura nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes, ndërsa hetimet e Prokurorisë pritet të përcaktojnë nëse ka pasur shkelje në lidhje me kontratat.
/A.K/
