UBT News

Lushtaku: Do të dalim të parët në zgjedhje, vota për PDK-në është mbrojtje e vlerave të luftës

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Mërgim Lushtaku, ka thënë se kjo parti synon të dalë e para në zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe se vota për PDK-në është votë në mbrojtjen e vlerave të luftës.

Lushtaku ka thënë se ata s’kanë vija të kuqe ndaj asnjë partie politike, por siç shprehet ai, ndaj fenomeneve të caktuara.

 “Partia Demokratike e Kosovës e ka ruajtur një politikë e cila ka qenë kundër vijave të kuqe. Ne besojmë që kemi vija të kuqe ndaj fenomeneve të caktuara, fenomeneve negative për vendin dhe prandaj ne asnjëherë nuk kemi vendosur vija të kuqe. Në synojmë vendin e parë dhe do ta arrijmë vendin e pare dhe 14 shkurti do të jetë fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës”, shtoi Lushtaku.

Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e gjithë kombit dhe çdo votë për PDK-në është ne mbrojtje të vlerave të luftës dhe votë për Hashim Thaqin e Kadri Veselin.

 “Ne Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kemi parë të gjithë njëjtë. Të gjithë anëtarët e saj kanë qenë kontribues në luftën e fundit duke nisur nga Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e gjithë kombit,  por në aspektin e saj që ne besojmë që çdo votë për PDK-në është edhe mbrojtje e vlerave të luftës dhe votë për Hashim Thaqin dhe Kadri Veselin.  E dimë që vlerat e UÇK-së në kohën e ish-kryeministrit Kurti në kabinetin e tij janë njollosur këto vlera dhe le që nuk i ka shkarkuar Albin Kurti, Shkëlzen Gashin si këshilltar të tij, por e ka liruar pas një presioni të madh publik të qytetarëve duke e respektuar mendimin e tij kritik siç ka thënë ai”, ka thënë Lushtaku.

“Prandaj çdo mbështetje për PDK-në e ka edhe peshën historike që e ka edhe mbështetjen ndaj UÇK-së edhe ndaj Hashim Thaqit dhe Kadri Veselit. Kemi parë që është një mobilizim i madh të qytetarëve të cilët dëshirojnë të respektojnë dhe tregojnë një mesazh edhe partive politike po edhe mesazh botës që ne pavarësisht burrat më të mirë i kemi në Hagë padrejtësisht dhe po gjykohet liria jonë ne e kemi mesazhin tonë që ne do ti mbështesim ata kudo që janë dhe ata do të vijnë më të fuqishëm në Kosovës”, tha ai.

Lushtaku ka qenë deputet në dy legjislaturat e kaluara të Kuvendit, ndërsa synon që të marr besimin edhe për një mandat.

Exit mobile version