Kryetarja e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku–Sadriu, ka thënë se përqindja e grave në tregun e punës vazhdon të jetë e ulët, krahasuar me meshkujt. Sipas saj, vetëm 16 për qind e grave janë aktive në tregun e punës.
Ajo ka përmendur edhe mungesën e çerdheve si faktor kyç që gratë nuk mund të punësohen. Sipas saj, Qeveria e Kosovës ka premtuar ndërtimin e 160 çerdheve, por që vetëm tri sosh kanë nisur.
“Shqetësimi i parë është dhuna në familje. Nga viti 2021 nga 1986 gra viktima të dhunës në familje kemi pas 2 gra të vrara. Ndërkohë në vitin 2022 kemi pasur një rritje nga 2055 viktima kemi pasur 3 gra të vrara. Vrasja duhet të jetë emergjence, kërkon politika emergjente. Shqetësimi jonë i dytë është mungesa e grave në tregun e punës. Vetëm 16 për qind e grave në Kosovë janë aktive në tregun e punës, dhe kjo flet shumë nga një diskrepancë që 45 për qind burra janë aktivë në punë”, tha ajo.
“20 për qind gratë janë të diskriminuara nga pagesa për punën e njëjtë me meshkujt. Në terren po e shohim se mungesa e çerdheve e bën më të vështirë dëshirën e grave për t’u punësuar. Faktikisht në këtë Qeveri kemi pasur premtim që të ndërtohen 160 çerdhe dhe vetëm 3 prej tyre kanë nisur”, tha tutje ajo.