Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje e cila sipas saj nuk ka lënë hapësirë për partneritet.
“Partia fituese nuk ka lënë aspak hapësirë për partneritet, partneritet përmbajtjesor që do t’i siguronte Kosovës të mira. Kjo është fatkeqësi në fakt sepse ne jemi duke u përballur me procese tepër të vështira për qytetarët, mos harroni që energjia elektrike është shtrenjtuar, është bërë e papërballueshme për shumicën e familjeve në Kosovë. Shikoni ambasadat, ka raportime për rritje të numrit të aplikantëve për të ikur nga Kosova dhe kjo e shpërfaq vërtetë mendësinë e Vetëvendosjes se si dëshiron ta sheh shtetin e Kosovës”, tha Lushaku para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës – në tentimin e 20-të.
Ajo përmendi propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për një qeveri tranzicionale derisa tha se do të preferonin kryetari ne kësaj partie për kryeministër.
“Ne e preferojmë Lumir Abdixhikun sepse kemi garuar edhe me program të qartë he ne synojmë në cfarëdo qeverie t’i realizojmë projektet tona që janë në të mirë të qytetarëve”, tha Lushaku-Sadriu.
Kur u pyet nëse Fatmir Limaj është i pranueshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës për kryetar të Kuvendit, ajo theksoi se nuk e votojnë asnjë kandidat të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Kushdo që prezantohet nga Vetëvendosje ne kemi thënë që nuk do ta votojmë dhe ky është një qëndrim që e kemi bërë të njohur tashmë disa herë”, tha ajo.