UBT News

Lukashenka kërcënon me ndalje të internetit në rast të protestave gjatë zgjedhjeve

Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, ka kërcënuar me ndalje të internetit në rast të protestave masive gjatë apo pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Në zgjedhjet e kaluara, të mbajtura më 2022, në Bjellorusi shpërthyen protesta masive pas pretendimeve të opozitës se rezultati ishte manipuluar.

Duke folur para studentëve në Universitetin Shtetëror të Gjuhës në Minsk më 22 nëntor, Lukashenka mbrojti vendimin për kufizimin e internetit në të kaluarën dhe paralajmëroi për masa në të ardhmen për të shtypur disidencën.

Nëse kjo ndodh sërish, ne do ta ndalim [internetin] krejtësisht. A mendoni se do të rri duarkryq dhe do të lutem që të mos dërgoni ndonjë mesazh kur fati i shtetit është në rrezik?”, citohet të ketë thënë ai sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, BelTa.

Lukashenka e pranoi se ndërprerjet e internetit gjatë protestave të vitit 2020 ishin kryer me miratimin e tij, duke argumentuar se kjo u bë për shkak se kishte nevojë për “ta mbrojtur shtetin”.

Pas zgjedhjeve të 9 gushtit të vitit 2020, që shumë qeveri perëndimore thonë se nuk ishin të lira dhe të drejta, interneti në mbarë Bjellorusinë ishte ndërprerë për disa ditë dhe më pas ishte bllokuar.

Zgjedhjet e diskutueshme ia zgjatën sundimin prej dekadash të Lukashenkas – ai është në pushtet që nga viti 1994 – edhe për një mandat, por Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropianë dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë thanë se votimet ishin të manipuluara.

Protestuesit, që kërkonin dorëheqjen e Lukashenkas, u përballën me arrestime, tortura të pretenduara dhe protestat u shtypën me forcë, teksa disa persona mbetën të vdekur.

Shumë figura opozitare vazhdojnë të jenë të burgosur ose në mërgim, teksa Lukashenka refuzon të zhvillojë dialog me kritikët e tij.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Bjellorusi janë caktuar të mbahen më 26 janar 2025.

Exit mobile version