Lufthansa, kompania ajrore gjermane, njoftoi se do t’i pezullojë fluturimet drejt kryeqytetit ukrainas Kievit nga e hëna, pas shqetësimeve në rritje për pushtimin rus. Lufthansa po ashtu do të ndalojë fluturimet drejt Odessa-s, një port kyç në Detin e Zi.
“Siguria e pasagjerëve dhe stafit tonë është top prioritet në të gjitha kohërat”, thuhet në njoftimin e kompanisë Lufthansa.
Kryeministri britanik, Boris Johnson paralajmëroi të dielën se Rusia po planifikon “luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945”.
Javën e kaluar, kompania holandeze KLM njoftoi se do t’i pezullojë fluturimet drejt Kievit. Lufthansa tha se do të kryejë fluturime të dielën përpara se pezullimet të hyjnë në fuqi të hënën. Kjo masë do të zgjasë deri në fund të shkurtit.
Të shtunën, Ministria e Jashtme e Gjermanisë u bëri thirrje qytetarëve të saj që të largohen nga Ukraina “tani”.
Nga Ministria e Jashtme thanë: “Nëse do të ketë një sulm rus në Ukrainë, opsionet për të ndihmuar shtetasit gjermanë janë shumë të kufizuara”./UBTNews