Sot, Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani (NCA) ka zbuluar një operacion të suksesshëm kundër bandave kriminale shqiptare dhe të tjera që reklamojnë kalime të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar përmes platformave sociale. Sky News raporton se NCA ka hequr rreth 12 mijë postime të tilla nga interneti, në një nismë për të përçarë dhe ndaluar rekrutimin e emigrantëve për kalime të rrezikshme me varka.
Operacioni i NCA-së është pjesë e një përpjekje të gjërë për të mbajtur nën kontroll krimin e organizuar që përdor rrjetet sociale për të ofruar shërbime të paligjshme. Në vitin 2021, një plan u ndërmor për të hetuar se si këto grupe shfrytëzojnë individët e dëshpëruar për të krijuar rrjetet e tyre kriminale.
Deri në prill të vitit 2023, rreth 3,300 postime, faqe ose llogari u hoqën ose u pezulluan, ndërsa një aksion më i madh gjatë vitit të kaluar ka rezultuar në fshirjen e pothuajse 9,000 postimeve të tjera. Ky veprim ka qenë i fokusuar kryesisht në platformat si X, TikTok, YouTube dhe Meta (përfshirë Instagram, Facebook dhe WhatsApp).
Në një prej reklamave të fshira, të publikuar në shqip, shfaqet imazhi i dy motorëve të një skafi me shkrimin: “Ne i çojmë njerëzit në MB me skaf. Është një punë e përfunduar brenda 45 minutave. Kalimi është 100% i garantuar (i sigurt). Mos e humbisni [këtë mundësi]. Së shpejti do të jemi gati [të nisemi]. Shkruani privatisht.”
Një reklamë tjetër tregon një hartë dhe ofron “udhëtime 100% të garantuara (të sigurta)” nga Shqipëria në Kanal, duke shtuar: “Rekomandoni udhëtimet tona mikut tuaj dhe fitoni 500 €”.
Dan Barcroft, udhëheqësi i NCA-së për kërcënimet e krimit të organizuar të imigracionit, tha se mediat sociale janë mjeti kryesor për operacionet e këtyre grupimeve, ndërsa fshirja e tyre ka ndikim të madh në aktivitetin kriminal dhe zbehjen e operacioneve të tyre. Ai gjithashtu shtoi se NCA ka ndërmarë veprime të drejtpërdrejta kundër individëve të dyshuar për postimin e këtij lloji të materialeve, duke i shtyrë ata të ndryshojnë taktikat e tyre.
Ky operacion tregon angazhimin e autoriteteve në luftën kundër krimit të organizuar dhe përdorimit të teknologjisë për të përballuar kërcënimet e reja të sigurisë në internet./UBTnews/