U bënë më shumë se dy muaj qëkur filloi pushtimi rus i Ukrainës. Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si “operacion special”, të cilin e quajti si “denazifikim të Ukrainës”. Lidhur me këtë çështje, profesori i UBT-së, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, vlerëson se kjo luftë e ka komplikuar komplet sistemin e sigurisë së Evropës.
“Kjo luftë e ka komplikuar komplet sistemin e sigurisë së Evropës sepse tash të gjitha shtetet, shumica që janë anëtare të NATO-s dhe që kufizohen me Ukrainën, realisht janë në përgatitje të nisjes së nivelit ushtarak, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që mund të ndodhë nëse konflikti eskalon. Përveç konfliktit të sigurisë dhe aspektit politik që përmendëm, po ashtu do të rrezikonte edhe aspektin ekonomik sepse Ukraina diku rreth 14% të grurit botëror e eksporton, kështu që edhe do të ketë efekte negative, po ashtu çmimet po vërehen (nafta, gazi). Njëfarë mënyre kjo luftë e komplikon komplet sistemin ndërkombëtar”, deklaroi Arifi në një intervistë për UBTNews.
Sipas Arifit, gjeneza e konfliktit është shumë më e hershme, që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia.
“Mos të harrojmë që problemi ka filluar shumë më herët, kur Rusia e ka pushtuar Krimenë, një gadishull atje ku e ka pasur edhe bazën ushtarake, dhe lindjen e dy krahinave në Donetsk dhe Luhansk, pra krahina të mëdha, por një pjesë e madhe ka qenë e pushtuar nga rusët që në vitin 2014”, deklaroi profesor Arifi.
Lidhur me reagimin e Perëndimit ai vlerëson se ka qenë pak i vonshëm, meqë konsideron që këto sanksione është dashur t’i bëhen Rusisë që në vitin 2014. Arifi potencoi se kjo është hera e parë që janë përdorur këto lloj sanksionesh ndaj një shteti anëtar të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit.
Profesori i UBT-së konsideron se lufta në Ukrainë është në njëfarë mënyre luftë për ta mbrojtur demokracinë apo jetën në botëkuptimin e lirisë perëndimore sepse siç thotë ai, nëse Ukraina bie apo dorëzohet e tëra, atëherë do të mbisundojnë forcat jodemokratike në sistemin ndërkombëtar.
Mes tjerash Arifi tregoi edhe për ndikimin e mundshëm që mund ta ketë lufta te Perëndimi dhe te vendet evropiane.
“Kjo luftë do të ketë ndikim shumë të madh sepse vetëm fillimi i luftës e ka detyruar të gjithë Perëndimin që të armatoset. Pra u krijua tash një botëkuptim tjetër për siguri, pra tash botëkuptimi për siguri është që të gjitha vendet që kanë hezituar me investua në modernizimin e ushtrisë, tash të gjitha e kanë bërë këtë, duke filluar nga Gjermania, pra vendi më i pasur në Bashkimin Evropian për kokë banori, pra e ka arritur për 100 mliardë GDP-në për produktin e vet vendor për ushtri, e diku Rusia e ka 69 miliardë dollarë, pra po vërehet që e ka ndryshuar botëkuptimin për sigurinë”, deklaroi mes tjerash Arifi.
Arifi vlerëson se vetëm sanksionet nuk mund të ndalin luftën, por sipas tij, zgjidhja e konfliktit duhet të arrihet me marrëveshje paqësore apo përmes baraspeshës së fuqisë./UBTNews/
Edlira Paçarizi, studente në Shkenca Politike në UBT