Kryeministri indian, Narendra Modi i ka thënë presidentit rus, Vladimir Putin, se paqja është tejet e rëndësishme dhe zgjidhja për luftën në Ukrainë nuk mund të gjendet në fushëbetejë.
Putin në takim me Modin tha se të dyja vendet gëzojnë një partneritet të veçantë strategjik dhe vlerësoi liderin indian për përpjekjet e tij për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit.
“Unë ju falënderoj për vëmendjen që po i kushtoni problemeve më të mëdha si dhe për përpjekjen për të gjetur mënyra për të zgjidhur krizën ukrainase – mbi të gjitha me mjete paqësore, natyrisht”, tha Putin.
India u bë partner strategjik i Rusisë pasi ajo e zhvendosi tregtinë e saj nga Perëndimi.
New Delhi është përmbajtur nga kritikat ndaj Rusisë për luftën dhe ka rritur blerjet e naftës së lirë ruse në nivele rekord, ndërsa i ka kërkuar Ukrainës dhe Rusisë që të zgjidhin konfliktin e tyre përmes dialogut dhe diplomacisë./UBTNews/