Disa nga zhvillimet e fundit në Ukrainë i gjeni të përmbledhura shkurtimisht më poshtë:
- Presidenti Joe Biden, tha se NATO do të “përgjigjet” nëse Rusia përdor armë kimike në Ukrainë, duke thënë se “natyra e përgjigjes do të varet nga natyra e përdorimit”. Ai shtoi se “NATO nuk ka qenë kurrë, kurrë më e bashkuar se sa është sot”. Ai gjithashtu ka mbështetur përjashtimin e Rusisë nga Grupi i 20 ekonomive kryesore për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë.
- Kreu i Aleancës, Jens Stoltenberg thotë se NATO po rrit mbrojtjen kimike dhe bërthamore për forcat e saj në Evropën Lindore.
- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kërkoi anëtarëve të NATO-s që t’i ofrojnë Kievit armë sulmuese, duke përfshirë tanke dhe avionë luftarakë, kjo një muaj pas pushtimit rus. Duke iu drejtuar samitit të NATO-s, ai thotë se aleanca mund të parandalojë vdekjet e Ukrainës “duke na dhënë të gjitha armët që na duhen”. Aktualisht, anëtarët e NATO-s po furnizojnë Kievin vetëm me pajisje mbrojtëse.
- Biden do të vizitojë një qytet në Poloni që është afër kufirit me Ukrainën të premten, tha Shtëpia e Bardhë, pasi ai kërkon të tregojë vendosmërinë perëndimore kundër pushtimit të Rusisë. Ai do të përshëndetet nga presidenti polak Andrzej Duda në Rzeszow, rreth 80 kilometra nga kufiri ukrainas.
- Grupi i Shtatë vendeve më të industrializuara thotë se do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të mbajtur Putinin dhe mbështetësit e tij personalisht përgjegjës për pushtimin e Ukrainës. Udhëheqësit thonë se do të ndërmarrin veprime për të bllokuar individët dhe subjektet ruse të goditur nga sanksionet që të shmangin dënimet dhe paralajmërojnë se ata mund të vendosin embargo më të rënda.
- Zelensky tha se ekziston një kërcënim “real” se Moska do të përdorë armë kimike në Ukrainë, duke akuzuar Rusinë se ka përdorur tashmë bomba fosfori kundër civilëve në vend.
- Guvernatori i rajonit të Luganskut thotë se bomba fosforike u përdorën në një fshat të goditur në sulmet gjatë natës në Ukrainën lindore që vranë të paktën katër persona, duke përfshirë dy fëmijë. Rrjeti britanik ITV transmeton pamjet e bombave me fosfor që bien gjatë natës në qytetin e Irpin pranë Kievit.
- G7 dhe BE janë zotuar të bllokojnë transaksionet që përfshijnë rezervat e arit të bankës qendrore ruse, për të penguar çdo përpjekje të Moskës për të anashkaluar sanksionet perëndimore.
- Uashingtoni ka zbuluar gjithashtu sanksione të reja ndaj ligjvënësve rusë dhe kontraktorëve të mbrojtjes, ndërsa Britania vendos sanksione ndaj 59 individëve dhe subjekteve të tjera ruse, duke përfshirë grupin Wagner.
- Rusia akuzon Poloninë, anëtare të NATO-s, e cila është fqinjë me Ukrainën, se ka hyrë në një “përshkallëzim të rrezikshëm” të tensioneve midis Moskës dhe Perëndimit pasi Varshava dëboi 45 diplomatë rusë për spiunazh të dyshuar.
- Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov thotë se forcat nga rajoni i tij rus kanë marrë kontrollin e bashkisë në portin juglindor të Mariupolit dhe kanë ngritur flamurin rus. Nuk ka pasur asnjë konfirmim të këtij pretendimi.
- Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka shprehur “shqetësimin” pasi Ukraina paralajmëroi për bombardime (nga ana ruse) të qytetit ku jeton stafi që punon në kantierin bërthamor të Çernobilit.
- Kremlini thotë se ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu është shumë i zënë për paraqitjet publike, pasi mungesa e tij në publik për gati dy javë është përcjellur me pyetje nga gazetarët. Shoigu, një aleat i ngushtë i presidentit Vladimir Putin, thuhet se u shfaq për herë të fundit në publik më 11 mars, pavarësisht rolit të tij udhëheqës në operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë./UBTNews/