UBT News

Lufta në Ukrainë: Zhvillimet e fundit

Këtu janë zhvillimet më të fundit në luftën në Ukrainë:

Zemërim global për vrasjet e civilëve
Zemërimi global është rritur për shkak të zbulimit të dhjetëra trupave në qytetin ukrainas Bucha, disa me duar të lidhura, pas tërheqjes së forcave ruse nga zona në perëndim të Kievit.

Britania, Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Kombet e Bashkuara u shprehën tmerrin pas raportimeve për vrasjen e civilëve dhe fotografive të AFP-së që tregojnë një rrugë të mbushur me kufoma.

Presidenti francez, Emmanuel Macron thotë se ka “indikacione shumë të qarta të krimeve të luftës” dhe mbështet thirrjet e liderëve të tjerë të BE-së, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz, për sanksione të mëtejshme ndaj Moskës.

Presidenti Volodymyr Zelensky i quan trupat ruse “vrasës, torturues, përdhunues, grabitës”, të cilët “meritojnë vetëm vdekjen pas asaj që bënë”.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për atë që ai e quajti një “gjenocid” të kryer nga trupat ruse.

Prokurorja e përgjithshme ukrainase, Iryna Venediktova thotë se 410 trupa civilë u gjetën nga zonat përreth Kievit, të marra së fundmi nga forcat ruse.

AFP pa të paktën 20 trupa, të gjithë me veshje civile, të shpërndara nëpër një rrugë të vetme në Bucha.

Kryetari i bashkisë së Bucha, Anatoli Fedoruk thotë se 280 trupa u varrosën në varre masive.

Ministria ruse e Mbrojtjes mohon akuzat
Ministria ruse e mbrojtjes thotë se “asnjë banor i vetëm vendas” në Bucha nuk ka pësuar dhunë, duke akuzuar Ukrainën për bombardimin e periferive të saj dhe falsifikimin e imazheve të kufomave në “një prodhim tjetër” për mediat perëndimore.

Moska bën thirrje për një takim të posaçëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar ato që ajo i quan veprimet e “radikalëve ukrainas”.

Zelensky i drejtohet botës në ceromoninë Grammy
Zelensky bëri një paraqitje surprizë në çmimet muzikore Grammy, duke u shfaqur në një video të regjistruar paraprakisht duke kërkuar mbështetje për vendin e tij.

“Muzikantët tanë veshin parzmore në vend të smokingëve”, thotë ai. “Ata u këndojnë të plagosurve në spitale — madje edhe atyre që nuk mund t’i dëgjojnë. Por muzika do të depërtojë gjithsesi”.

Izolimi i plotë ‘i pamundur’
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov thotë se nuk është e mundur të izolohet tërësisht Rusia, duke i thënë televizionit shtetëror rus se bota është “shumë më e madhe se Evropa”.

Sulmet në lindje, jug
Rusia ka shtuar sulmet e saj në Ukrainën lindore, duke vrarë shtatë persona dhe duke plagosur 34 në një zonë banimi të qytetit të dytë më të madh të vendit, Kharkiv, sipas autoriteteve lokale.

Forcat ruse bombardojnë gjithashtu qytetin e afërt Dergachi, duke lënë të paktën tre civilë të vdekur dhe duke plagosur shtatë, tha kryebashkiaku i tij.

Gjashtë persona thuhet se janë vrarë nga sulmet në rajonin lindor të Donetskut dhe një në qytetin lindor të Ukrainës, Rubizhne, ku forcat ruse akuzohen se kanë shënjestruar një spital lokal.

Rusia gjithashtu vazhdon ofensivën e saj në Ukrainën jugore.

Një person është vrarë dhe 14 janë plagosur pas një sulmi rus në qytetin e Mykolaiv, sipas guvernatorit lokal, dhe porti strategjik i Odesës në Detin e Zi është gjithashtu në shënjestër të sulmeve ajrore.

“Ende herët për një samit të paqes”
Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky thotë se është shumë herët për një takim të nivelit të lartë midis Zelenskyt dhe Putinit për t’i dhënë fund konfliktit.

Ai thotë se Kievi është bërë “më realist” në qasjen e tij ndaj çështjeve që lidhen me statusin neutral dhe jo-bërthamor të Ukrainës, por një projekt-marrëveshje për paraqitjen në një takim të nivelit të lartë nuk është gati./UBTNews/

Exit mobile version