Studentja Olesya Krivtsova ka munguar në shumë ligjërata. Kjo pasiqë 20-vjeçarja është në arrest shtëpiak. Ajo ka një etiketë elektronike në këmbë. Policia mund të monitorojë çdo lëvizje të saj.
Për çka u arrestua? Ajo u arrestua për postime kundër luftës në rrjete sociale. Një prej tyre kishte të bënte me shpërthimin e tetorit të kaluar në urën që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar.
“Unë postova një storie në Instagram për urën”, i thotë Olesya BBC, “duke reflektuar se si ukrainasit ishin të kënaqur me atë që kishte ndodhur”.
Ajo kishte shpërndarë edhe postimin e një miku të saj për luftën. Pastaj filloi drama.
“Unë po flisja në telefon me nënën time”, kujton Olesya, “kur dëgjova hapjen e derës së përparme. Shumë policë hynë brenda. Më morën telefonin dhe më urdhëruan të shtrihesha në dysheme”.
Olesya u arrestua për justifikim të terrorizmit dhe diskreditimin e forcave të armatosura ruse. Ajo rrezikon deri në dhjetë vjet burg.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që dikush mund të merrte një dënim kaq të gjatë me burgim për postimin e diçkaje në internet”, thotë Olesya. “Kisha parë raporte për vendime të çmendura në Rusi, por nuk i kisha kushtuar shumë vëmendje dhe vazhdova të flisja”.
Një studente e Universitetit Federal Verior në Arkhangelsk, Olesya tani është shtuar në listën zyrtare të Rusisë të terroristëve dhe ekstremistëve.
Sipas rregullave të arrestit shtëpiak, asaj i ndalohet të flasë në telefon dhe të hyjë në internet./UBTNews/