UBT News

​Lufta në Ukrainë, sot bisedime trepalëshe në Mynih

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se zyrtarët amerikanë, rusë dhe ukrainas do të takohen në një konferencë të sigurisë në Mynih sot për të biseduar se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë.

Rusia do të jetë atje me njerëzit tanë”, tha presidenti amerikan. “Ukraina është gjithashtu e ftuar, meqë ra fjala, nuk e di saktësisht se kush do të jetë atje nga ndonjë vend – por njerëz të nivelit të lartë nga Rusia, nga Ukraina dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, Rusia e cila nuk po merr pjesë zyrtarisht në forumin vjetor në Gjermani, nuk komentoi dhe një zyrtar i lartë ukrainas tha se “bisedimet me rusët në Mynih” “nuk priten”.

Aleatët e NATO-s të Amerikës po reagojnë ende ndaj njoftimit të papritur të Trump këtë javë se ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin kishin rënë dakord në një telefonatë për të filluar bisedimet për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti amerikan njoftoi takimin trepalësh në Mynih gjatë një konference për shtyp të enjten, pa dhënë detaje të tjera.

Sidoqoftë, këshilltari i Zelensky, Dmytro Lytvyn u tha gazetarëve se delegacioni ukrainas nuk kishte plane të merrte pjesë në një takim të tillë.

Rusia nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të BBC për koment mbi këtë çështje.

Njoftimi i Trump erdhi një ditë pasi ai mbajti telefonata të veçanta fillimisht me Putinin, më pas me Zelenskyn.

Duke i përshkruar bisedimet si “të shkëlqyera”, Trump tha se ekzistonte “një mundësi e mirë për t’i dhënë fund asaj lufte të tmerrshme, shumë të përgjakshme”.

Por ai tha se nuk ishte “praktike” që Kievi t’i bashkohej aleancës ushtarake të NATO-s dhe gjithashtu “e pamundur” që Ukraina të mund të kthehej në kufijtë e saj para pushtimit në 2014.

Zelensky i cili pranoi se “nuk ishte shumë e këndshme” që Trump kishte folur me Putinin para tij, paralajmëroi se Ukraina nuk do të pajtohej me asnjë marrëveshje paqeje të propozuar nga SHBA dhe Rusia pa përfshirjen e Kievit.

Zelensky tha se aleatët evropianë “duhej të ishin gjithashtu në tryezën e bisedimeve”, mes frikës në rritje në të gjithë kontinentin se hapja e Trump ndaj Putinit mund të çojë në një marrëveshje të veçantë SHBA-Rusi për të ardhmen e Ukrainës dhe Evropës.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha për Financial Times se vetëm Zelensky mund të negociojë në emër të vendit të tij me Rusinë, duke paralajmëruar se një “paqe që është një kapitullim” do të ishte “lajm i keq për të gjithë”.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas tha: “Çdo zgjidhje e shpejtë është një marrëveshje e ndyrë”.

Mund të jetë një pilulë e hidhur që Zelensky ta gëlltisë, por lloji i ndihmës shtesë ushtarake të SHBA-së për Ukrainën që përfundimisht do t’i duhej për të vazhduar luftën duket e pamundur në këtë pikë, raporton BBC.

As Trump dhe Partia Republikane e Trump në Kongres nuk kanë shumë interes për të vazhduar mbështetjen.

Exit mobile version