UBT News

Lufta në Ukrainë, Scholz: Topi është në fushën e Putinit për një armëpushim

Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi sot se tani i takon presidentit rus Vladimir Putin të mbajë një qëndrim, pasi Ukraina pranoi një propozim të SHBA-së për një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor me Moskën.

“Tani topi është në fushën e Putinit”, tha kancelari gjerman në një postim në platformën ‘X’. Ai e konsideroi idenë e një armëpushimi njëmujor “një hap të rëndësishëm drejt një paqeje të drejtë për Ukrainën”.

“Ne qëndrojmë me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara dhe mirëpresim propozimet nga Jeddah”, shtoi Scholz.

Edhe Kina njoftoi nga ana e saj se po ndjek me kujdes qasjen e Ukrainës, e cila ka shprehur gatishmërinë të pranojë propozimin amerikan për një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor me Rusinë dhe se shpreson për një “paqe të qëndrueshme”.

“Ne shpresojmë që të gjitha palët, përmes dialogut dhe negociatave, të gjejnë një plan për një paqe të qëndrueshme dhe të përhershme që merr parasysh shqetësimet e të gjithëve”, tha Mao Ning, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze, gjatë një konferencë me gazetarët.

Për më tepër, Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski tha sot se ai mund të konfirmojë se furnizimet me armë nga SHBA në Ukrainë nëpërmjet Polonisë kanë rifilluar dhe shërbimet e internetit satelitore Starlink janë funksionale.

Duke folur për gazetarët në Varshavë së bashku me ministrin e Jashtëm ukrainas Andriy Sibiha, Sikorski tha se Polonia është e kënaqur me propozimet e reja për Ukrainën.

Exit mobile version