Anna Tymchenko u frikësua. Ajo ka qenë në lindje për orë të tëra, por vendlindja e saj po bombardohej dhe banesa i dridhej. Nuk kishin energji elektrike, ujë e madje as mjek.
Qyteti i vogël i Bucha, 30 kilometra larg nga kryeqyteti Kiev, ishte nën bombardime të pamëshirshme që nga fillimi i luftës.
Anna 21-vjeçare, së bashku me bashkëshortin dhe vëllain e saj, ishin strehuar më parë në bodrumin e banesës së tyre. Por kur u ndërpre energjia elektrike dhe ngrohja pushoi së punuari, bodrumi u kaplua nga errësira dhe u bë shumë ftohtë.
Burri i Annës, Volodymyr, ishte mes zgjedhjes për të qëndruar në Bucha dhe përpjekjes për të ikur. Kur më në fund u përpoqën të arratiseshin me makinë, u desh të ktheheshin kur dëgjuan se një kolonë automjetesh ushtarake ruse po shkonte drejt tyre.
“Pastaj ne vendosëm të qëndrojmë në banesë. Zgjodha të lindi në shtëpi dhe jo në një bodrum me pluhur. Kisha vështirësi në frymëmarrje, dhimbje mushkërish”, deklaroi ajo për BBC.
Kur filloi lindja, ajo thirri fqinjtë e saj për ndihmë. Ata pranuan t’i ndihmojnë, por asnjëri prej tyre nuk kishte përvojë në lindje.
Viktoria Zabrodskaya, fqinja 49-vjeçare e Annës, i tha BBC-së se ishin të shqetësuar se nëse diçka shkon keq, ata nuk do të dinin si të veprojnë.
Kurse Anna tha se asnjëherë s’e kishte imagjinuar që do të lindte në rrethana të tilla.
“Ishte sureale. Është fëmija im i parë dhe s’dija asgjë”, deklaroi ajo.
Të shqetësuar, fqinjtë e saj provuan të thërrasin stafin mjekësor, por sinjali ishte i dobët. Ata ranë në kontakt me një gjinekolog në Bucha. Ai u pajtua t’ju ndihmojë, por nuk erdhi. Më vonë ai iu dërgoi një mesazh kërkimfaljeje se një patrullë ruse e ka ndalur dhe ia ka thyer telefonin.
Fqinjet e saj u detyruan t’i ndihmojnë asaj të lindte. Vetëm një nga to – Irina Yazova – kishte përvojë pak a shumë në mjekësi./UBTNews/