Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Anna Baerbock ka thënë se ajo “nuk do të pengonte” Poloninë nëse do të dërgonte tanke Leopard 2 në Ukrainë.
Ukraina i ka bërë thirrje Perëndimit që të sigurojë tanke të prodhimit gjerman, të cilat sipas tyre, do t’i ndihmojnë të mposhtin Rusinë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba i ka thënë BBC-së se Gjermania ka pasur fuqinë të “shpëtonte jetën e shumë ushtarëve ukrainas”.
Të dielën, Baerbock ka deklaruar se Polonia nuk kishte kërkuar ende leje eksporti.
“Për momentin pyetja nuk është bërë, por nëse do të na bënin ne nuk do të qëndronim pengesë”, ka thënë ajo për TV LCI të Francës.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki ka thënë të hënën se qeveria do të kërkojë autorizim nga Berlini. Por, ai ka deklaruar se Polonia do t’i dërgonte tanket në Ukrainë, edhe nëse nuk i jepej.
“Edhe nëse përfundimisht nuk do ta merrnim këtë pëlqim…ne do t’i dorëzojmë tanket tona, së bashku me të tjerët, në Ukrainë”, ka thënë Morawiecki.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar se Gjermania nuk do të ndalojë vendet e tjera të BE-së të eksportojnë tanke Leopard, shkruan BBC.
Ai ka shtuar se diskutimet për mbështetjen për Ukrainën nuk duhet të sillen vetëm rreth tankeve.