Mund ta keni konsideruar si të pashmangshme, por kjo nuk e bën më pak të dhimbshme rënien e Severedonetsk-ut për Ukrainën.
Për disa javë ky qytet ka qenë në fokus të pushtimit rus, breshëri të mëdha artilerie dhe sulme ajrore duke e kthyer në rrënoja pjesën më të madhe të qytetit të vjetër industrial. Në fund, komandantët ukrainas thanë se mbrojtja e rrënojave do të kushtonte shumë jetë.
Në një adresim të shtunën mbrëma pasi Rusia konfirmoi se mori kontrollin e Severodonetsk-ut, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se ishte ditë e vështirë “moralisht dhe emocionalisht” për vendin e tij.
Nuk mund të mohohet, humbja e një prej qyteteve më të mëdha në rajonin e Luhanskut i afron edhe më tej synimet kryesore strategjike të Rusisë. Që nga dështimi i përpjekjeve të tyre fillestare për të kapur të gjithë vendin, Moska është fokusuar në kapjen e zonës më të gjerë lindore të njohur si Donbas. Ai përbëhet nga dy rajone, Donetsk dhe Luhansk. Kapja e njërës prej tyre do t’i mundësonte presidentit Putin t’i prezantonte popullit të tij një arritje të vërtetë, diçka që ai ka shumë nevojë pas dështimeve të fillimit të këtij pushtimi.
Por, kapja e qytetit të Luhansk-ut ende s’është e garantuar, edhe pse është gjithnjë e më e mundshme. Në rrugën e Rusisë është qyteti i Lysychansk, vetëm disa kilometra larg Severodonetsk – por ende në duart e Ukrainës. Pikërisht këtu mendohet se forcat ukrainase janë tërhequr pas braktisjes së Severodonetsk. Për të kuptuar pse Lysychansk ka rëndësi, duhet të kuptojmë gjeografinë e rajonit dhe rolin që ka luajtur në luftë deri më tani.
Të dy qytetet shtrihen në lumin Siversky Donets: ai kalon përmes Donbasit dhe ka qenë skena e një numri betejash shumë të kushtueshme për Rusinë. Në veçanti, një përpjekje për ta kaluar atë një muaj më parë i kushtoi një grupi të tërë taktik batalioni.
Qindra burra dhe dhjetëra automjete të blinduara u fshinë nga artileria ukrainase ndërsa përpiqeshin të arrinin në anën tjetër./UBTNews/