UBT News

Lufta Izrael-Hamas: A ka dëshmi për krime lufte?

Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se vrasja pa dallim e 1 mijë e 400 civilëve, në mesin e tyre edhe fëmijë, si dhe rrëmbimi i mbi 200 personave si pengje dhe mburojat njerëzore në Gaza, janë krim nën ligjin ndërkombëtar humanitar.

“Raportimet se grupet e armatosura nga Gaza kanë vrarë qindra civilë të paarmatosur janë të neveritshme dhe nuk mund të tolerohen. Marrja e pengjeve dhe përdorimi i civilëve si mburoja njerëzore janë krime lufte”, thuhet në deklaratë.

Ekspertët ligjorë thonë se si Hamasi ashtu edhe grupet tjera sikurse Xhihadistët Islamikë mund të shpallen fajtorë për krime lufte për shkak se kanë gjuajtur mijëra raketa nga Gaza në Izrael.

OKB-ja gjithashtu tha se Izraeli po kryen krime lufte me ndëshkimin kolektiv për shkak të rrethimit të plotë të territorit të Gazës. Me këtë deklaratë pajtohet edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

“Udhëzimet e lëshuara nga autoritetet izraelite për popullsinë e qytetit të Gazës që të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre, së bashku me rrethimin e plotë, duke ua mohuar në mënyrë eksplicite ushqimin, ujin dhe energjinë elektrike, nuk janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar”, thuhet në deklaratë.

Amnesty International tha se ka “dokumentuar sulme të paligjshme izraelite, që shkaktuan vdekjen massive të civilëve dhe duhet të hetohen si krime lufte”.

Human Rights Watch tha “se krime të shumta lufte janë kryer dhe po vazhdojnë të kryhen në Izrael dhe Palestinë, me shqetësime të mëdha se forcat izraelite dhe grupet e armatosura palestineze po kryejnë sulme të paligjshme pa dallim duke dëmtuar civilët”./UBTNews/

Exit mobile version