UBT News

Lufta Izrael-Gaza: Turqia dhe Irani pajtohen se ka nevojë për stabilitet rajonal

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, thotë se ai dhe homologu i tij iranian u pajtuan që të shmangin hapat që mund të kërcënojnë stabilitetin në Lindjen e Mesme. Kështu u tha gjatë vizitës së presidentit iranian, Ebrahim Raisi, në Ankara.

Në një konferencë për media pas takimit të mërkurën, Erdogan tha se dyshja kanë diskutuar rreth përfundimit të sulmeve “çnjerëzore” të Izraelit në Gaza dhe imperativin për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon.

“Ne u pajtuam për rëndësinë e përmbajtjes nga hapat që do të kërcënojnë më tej sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë”, tha ai.

Gjithashtu ata u pajtuan të vazhdojnë bashkëpunimin kundër kërcënimeve ndërkufitare.

Turqia, e cila vazhdimisht ka dënuar luftën e Izraelit në Gaza, ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe ka mbështetur hapat ligjorë që Izraeli të gjykohet për gjenocid./UBTNews/

Exit mobile version