Kërcënimi i Rusisë duke përdorur sulme kibernetike, propagandë dhe taktika të tjera për të ndikuar në opinionin publik në Gjermani është real dhe në rritje, sipas ministres së Brendshme gjermane, Nancy Faeser.
“Rreziqet kanë arritur një nivel të ri”, tha ajo për gazetën Süddeutsche Zeitung.
Paralajmërimi i saj vjen ndërsa Gjermania përgatitet për zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor dhe zgjedhjet në tri landet gjermane në shtator. Ekziston shqetësimi në rritje se Moska do të përpiqet të fitojë mbështetje për partitë pro-ruse si Alternativa për Gjermaninë (AfD), përpara votimit.
Gjermania ka qenë prej kohësh objektiv i operacioneve të ndikimit rus. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, shumë prej këtyre operacioneve kanë pasur për qëllim minimin e mbështetjes për Ukrainën.
“Tani bëhet fjalë për të treguar vendosmërinë dhe forcën përballë kësaj dhe ekspozimin se si vepron pala tjetër”, thotë Riediger von Fritsch, ish-ambasador gjerman në Moskë dhe ish-zëvendës president i shërbimit të inteligjencës së jashtme gjermane BND.
Lufta hibride përshkruan një strategji komplekse që kombinon mjetet ushtarake me metoda jo-konvencionale, duke filluar nga rritja e presionit ekonomik deri te përhapja e propagandës.
Ajo nuk është një fenomen i ri, pasi për shekuj me radhë shtetet kanë përdorur mjete jo-ushtarake për të ndikuar në opinionin publik jashtë vendit. Por gjatë dy dekadave të fundit, rritja e internetit dhe rrjeteve sociale ka sjellë një arsenal të ri armësh në internet: në ato që njihen si operacione “hack-and-leak”, hakerët fitojnë qasje në informacione të ndjeshme ose konfidenciale dhe më pas i publikojnë.
Sulmet kibernetike mund të përdoren gjithashtu për të rrëzuar infrastrukturën kritike të një vendi, duke përfshirë makinat dhe softuerin e përdorur në zgjedhje. Në të njëjtën kohë, platformat e mediave sociale përdoren për të përhapur informacione të fabrikuara ose të gabuara.
Lufta hibride shpesh përshkruhet si një formë e “luftës hije” që zhvillohet larg syrit të publikut dhe nuk shpallet kurrë zyrtarisht.
Në janar, qeveria gjermane tha se kishte zbuluar një fushatë të koordinuar dezinformimi ruse në rrjetin social X. Para se të mbyllej, fushata shpërndau më shumë se një milion mesazhe përmes profileve të rreme, duke nxitur histori të rreme ose mashtruese, të tilla si se ndihma për Ukrainën e shkatërruar nga lufta po neglizhonte qytetarët vendas.
Duke përhapur mesazhe të tilla në një numër të madh platformash të internetit, Rusia dëshiron të maksimizojë dukshmërinë e saj dhe të nxisë një ndjenjë legjitimiteti. Ndërsa shumica e formave të luftës hibride mbeten në hije, disa operacione bëhen publike qëllimisht.
Në fillim të marsit, një medium rus publikoi një bisedë konfidenciale midis oficerëve të lartë gjermanë. Afera, e njohur si “rrjedhja e Taurus”, shkaktoi bujë diplomatike.
Në bisedën e përgjuar të oficerëve gjermanë, ata dëgjoheshin duke diskutuar skenarë të mundshëm të një lufte ruse në Ukrainë. Pas publikimit të bisedës, media ruse pretendoi se kaseta zbuloi se ushtria gjermane kishte diskutuar plane të rëndësishme dhe specifike për të sulmuar territorin rus.
Rrjedhja e Taurus (raketë gjermane) – në të cilën inteligjenca ruse fitoi qasje në komunikimet ushtarake sepse një nga pjesëmarrësit e bisedës u lidh përmes një lidhjeje të pasigurt – gjithashtu thekson nevojën për të rritur ndërgjegjësimin për sigurinë kibernetike në të gjithë sektorët e shoqërisë, sipas mediave gjermane.