UBT News

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është bërë temë debati sot në Kuvend

Në diskutimet për Projektligjin për pagën minimale, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha tha se grupi parlamentar i mazhorancës vuan nga kompleksi që s’ka qenë pjesë e lavdisë së UÇK-së, mirëpo kryeparlamentari Glauk Konjufca, i kërkoi atij mos të hyjë në këto tema, pasi siç tha ai, ka luftëtarë të UÇK-së në të gjitha grupet parlamentare.

Në reagimin e tij, Berisha u përfshi në një përplasje të ashpër me deputetin e LVV-së, Haki Abazi.

“Nëse vuani nga kompleksi pse s’keni qenë pjesë e asaj lavdie, të paktën shërojeni duke e madhështuar atë lavdi që e kanë bërë heronjtë e këtij vendi”, tha deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

I habitur me këtë deklaratë u shpreh kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

“Kur po thoni që s’keni qenë pjesë e asaj lufte dhe keni komplekse, unë bash fillova t’i shoh grupet parlamentare edhe në LDK po e shoh një që ka qenë në luftë, në Vetëvendosje po i shoh pesë e në PDK po i shoh dy. Kjo është gjendja aktuale qysh po iu shoh tash, kështu që nuk bën me hy andej z. Berisha, sepse ka në secilin grup parlamentar deputetë të cilët mund të ofendohen dhe kanë qenë pjesë e luftës çlirimtare”, tha Konjufca.

Gjatë reagimit të sërishëm të tij, deputeti Berisha u përplas me deputetin Abazi, të cilit i përmendi gjeneralët serbë dhe hartat në Beograd.

“Ku ke ti që se bëre, nuk kanë pas kohë ata me shku në Beograd me i bërë ato hartat dhe me gjeneralët e Serbisë. Kujdes je ka fol me Hisen Berishën”, theksoi Berisha.

Exit mobile version