Dhjetë protestues janë arrestuar gjatë përleshjeve me policinë në qendër të Los Angeles, gjatë protestave kundër bastisjeve të imigracionit që kanë përfshirë Kaliforninë gjatë fundjavës, njoftoi shefi i policisë së qytetit, Jim McDonnell, në një konferencë për shtyp të dielën vonë.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe flakadanë për të shpërndarë turmat gjatë ditës së djeshme. Sipas CNN, forcat e rendit goditën dhe shtynë protestuesit gjatë kryerjes së arrestimeve.
Departamenti i Policisë së Los Angeles (LAPD) njoftoi se e gjithë zona qendrore e qytetit është shpallur “zonë e paligjshme për tubim”, duke zgjeruar kështu urdhrin e mëparshëm për shpalljen e tubimit jashtë Qendrës së Paraburgimit Metropolitan si të paligjshëm.
Rreth 300 anëtarë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë janë angazhuar në Los Anxhelos, sipas zyrës së Guvernatorit Gavin Newsom. Guvernatori i kërkoi administratës së Trump të anulojë vendosjen e forcave federale, të cilën e cilësoi “të paligjshme”, dhe të lejojë autoritetet lokale të ruajnë rendin publik.
Për më tepër, rreth 500 marinarë në detyrë aktive janë në “status të përgatitur për t’u vendosur” dhe mund të dërgohen nga qendra e luftimeve në Twentynine Palms, Kaliforni, nëse trazirat vazhdojnë. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte paralajmëruar të shtunën për këtë mundësi.
Gjatë ditës ka pasur ndërprerje të trafikut në disa rrugë kryesore, përfshirë autostradën US 101, që lidh Los Anxhelosin me qytete të tjera të Kalifornisë si San Francisko. Autostrada u mbyll për rreth 90 minuta në pasdite pasi qindra protestues hynë në rrugë. Më pas, korsitë në drejtim të jugut u mbyllën përsëri për shkak të protestuesve që hodhën sende mbi automjetet e policisë.