UBT News

Lorde anulon koncertin në Luksemburg për shkak të helmimit me ushqim

Këngëtarja e njohur neozelandeze Lorde, emri i vërtetë Ella Yelich-O’Connor, u detyrua të anulonte koncertin e saj në Rockhal, Luksemburg, vetëm disa orë para performancës, pasi u sëmur rëndë nga helmimi me ushqim.

Artistja 29-vjeçare njoftoi përmes Instagramit se ishte “shumë e sëmurë” dhe “mezi qëndronte në këmbë”.

“Më vjen shumë keq, u helmova pamëshirshëm nga ushqimi dhe jam ende shumë e sëmurë për të performuar”, shkroi ajo, duke kërkuar falje fansave dhe duke konfirmuar se po punon me organizatorët për të riplanifikuar datën e koncertit.

Ngjarja ishte pjesë e turneut evropian Ultrasound World Tour, që promovon albumin e saj të ri Virgin, i publikuar më 27 qershor, i cili ka marrë vlerësime pozitive dhe ka debutuar në krye të listave në Australi, Zelandën e Re dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Lorde ka folur për periudhat e vështira emocionale dhe sfidat mendore që ka përballuar, duke rrëfyer për BBC Radio 1 se në fillim të vitit 2023 ndihej larg krijimtarisë dhe nuk e shihte veten duke bërë muzikë. Rikthimi në art e ndihmoi të gjente sërish veten. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version