Biznesi televiziv dhe filmik i gjigantit teknologjik Amazon po e transferon prodhimin e serisë së tij multimilionëdollarëshe “Lord of the Rings” nga Zelanda e Re në Mbretërinë e Bashkuar.
Epika e fantazisë ende e pa titull është vendosur mijëra vjet para ngjarjeve në librat e JRR Tolkien “The Hobbit” dhe “The Lord of the Rings”.
Kompania ka bërë të ditur se masa ishte pjesë e një plani për ta zgjeruar hapësirën e prodhimit dhe për t’i konsoliduar gjurmët e saj në Mbretërinë e Bashkuar.
“Amazon Studios” ka shpenzuar 465 milionë dollarë në sezonin e parë të serisë.
Me katër sezone të tjera që pritet të bëhen, kjo do ta bënte serinë njërën prej më të kushtueshmeve në historinë e televizionit.
Peizazhet dramatike të Zelandës së Re ishin gjithashtu shtëpi e trilogjive të filmit të regjisorit Peter Jackson, “The Lord of the Rings” dhe “The Hobbit”.
Amazon ka njoftuar se puna në sezonin e parë të serisë do të përfundonte në vend, para se të kalonte në Britani.
Nëpërmjet një deklarate që e konfirmoi vendimin, Vernon Sanders, nënkryetar dhe bashkëkryetar i televizionit në “Amazon Studios”, ka falënderuar “njerëzit dhe qeverinë e Zelandës së Re për mikpritjen dhe përkushtimin, si dhe për krijimin e serisë ‘The Lord of The Rings’ në një vend të jashtëzakonshëm në fillimin e këtij udhëtimi epik”.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Zelandë të Re, Stuart Nash, ka thënë se është zhgënjyer nga vendimi.
“Jam jashtëzakonisht krenar për sektorin e ekranit në Zelandën e Re. Vendimi i ‘Amazon Studios’ në asnjë mënyrë nuk i pasqyron aftësitë e industrisë sonë të filmit apo talentet e njerëzve që punojnë në të”, ka shtuar Nash.
Sezoni i ri i serisë është planifikuar që ta bëjë debutimin botëror në “Prime Video” të “Amazonit”, më 22 shtator të vitit të ardhshëm.
Shpërngulja do të jetë një shtysë e madhe për industrinë e prodhimit të filmit dhe televizionit në Mbretërinë e Bashkuar, pasi që ia gjeneron vendit me qindra miliona dollarë.
Sekretari për Kulturë në Mbretërinë e Bashkuar, Oliver Dowden, ka përshëndetur lajmin, duke thënë për BBC-në se kësisoj “me mijëra vende të mira pune do të krijohen në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe me mbështetjen nga seritë televizive ‘Lord of the Rings’”.
“Andaj ky është lajm shumë emocionues”, ka theksuar ai./KOHA