Raportet nga Rusia njoftuan se një anije patrulluese dhe një avion luftarak kanë kryer të shtëna paralajmëruese ndaj një luftanije britanike në Detin e Zi.
Ministria e Mbrojtjes në Moskë tha se anija britanike HMS ka hyrë në ujërat territoriale ruse pranë Krimesë.
Rusia e ka aneksuar Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, por veprimi nuk është njohur ndërkombëtarisht.
Britania e Madhe ka mohuar raportet se Rusia ka qëlluar luftanijen e saj. Ministria Britanike e Mbrojtjes tha se “nuk ka pasur të shtëna paralajmëruese ndaj HMS Defender”. Sipas kësaj ministrie, anija po lundronte në ujërat e Ukrainës, dhe se rusët po kryenin stërvitje të armatosura në Detin e Zi dhe se kanë bërë paralajmërim paraprak për aktivitetin e tyre.
Rusia pretendon se, pas të shtënave, anija britanike e ka ndryshuar drejtimin. Sipas raporteve nga Rusia, anija e patrullimit qëlloi dy herë ndërsa avioni Su24-M ka shkrepur katër bomba.
Agjencia ruse e lajmeve Interfax raportoi se për shkak të incidentit atasheu i mbrojtjes i ambasadës britanike është thirrur në ministrinë ruse të mbrojtjes.
Anija britanike HMS Defender po kryen misione në Detin e Zi, sipas faqes në internet të Marinës Mbretërore./REL