“Mendoj se njerëzit duhet ta dinë se kjo lojë nuk nënkupton vetëm qëndrimin ulur para ekranit gjithë ditën”.
Kelsie Grieg ose siç njihet si Kels në botën e lojërave, shënoi histori qëkur u bë femra e parë që u kualifikua në turneun “Call of Duty Challengers Elite”. Por rrugëtimi i saj për të qenë krijuese e historisë nuk ka qenë aspak i lehtë dhe i thjeshtë.
22-vjeçarja nga Skocia u bë pjesë e këtyre lojërave aksidentalisht, pas një lëndimi që pësoi dhe që e detyroi atë të largohet nga karriera e saj si futbolliste.
“Përfundova duke takuar njerëz që janë aktualisht në esports, lojtarë profesionistë. Dhe më pas u njoha me botën e madhe të esports”, tha ajo për BBC Newsbeat.
“Nuk e dija se sa e lehtë ishte të takohesha me njerëz. Dhe nuk ishte gjë e keqe, sepse e bëri diferencën”.
Por duke qenë në një mjedis që kryesisht dominohet nga meshkujt, Kels nuk u pranua menjëherë, sepse meshkujt kishin dyshime se sa e mirë mund të jetë një lojtare femër.
“Njerëzit priren ta shohin gjininë si çështje ose të paktën e shihnin në atë kohë”, thotë ajo.
“Pra, kjo ishte një luftë mjaft e vështirë. Më duhej të provoja veten dhe m’u desh shumë kohë për të dëshmuar veten”, deklaroi ajo tutje.
“Ka shumë diskriminim”, shtoi ajo.
Sipas esportearnings.com, nuk ka asnjë lojtare femër në mesin e 400 lojtarëve më të mirë që edhe fituan, dhe vetëm një pjesë e fitimeve në këto gara në mbarë botën u shkon femrave.
Dhe iu desh pak kohë që Kelsi të kuptonte rëndësinë e kualifikimit të saj në Challengers Elite.
“Nuk e shihja se po shënonte histori, derisa u zgjova të nesërmen”, deklaroi ajo.
“Dhe ishte një femër që u kualifikua për Elite dhe ajo femër isha unë. Ishte e pabesueshme. Por gjëja kryesore që kam marrë prej saj është nëse unë mund t’ia dalë, shpresoj se edhe femrat tjera do t’ia dalin”, deklaroi ajo tutje.
Vlerësohet se tregu i esports do të rritet në 1.9 miliard dollarë deri në vitin 2025./UBTNews/