UBT News

Lobi Shqiptaro-Amerikan dhe Kosova: Dr. Elmi Berisha presidenti i Federatës Panshqiptare VATRA, ligjëron para studentëve të UBT-së

Në ambientet e UBT-së, studentët e Fakultetit të Sigurisë dhe Shkencave Politike patën nderin të dëgjojnë një ligjëratë të veçantë nga Dr. Elmi Berisha, Presidenti i Federatës Panshqiptare VATRA. Tema e ligjëratës ishte “Roli i Lobit Shqiptaro-Amerikan për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës,” një çështje me rëndësi të veçantë për të kuptuar angazhimin historik dhe strategjik të komunitetit shqiptaro-amerikan në çlirimin e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare.

Gjatë ligjëratës, Dr. Berisha përshkroi me detaje rrugëtimin e gjatë dhe sfidues të diasporës shqiptaro-amerikane në mbështetje të çështjes së Kosovës. Duke përmendur momente kyçe dhe përpjekje të palodhshme, ai vuri në dukje ndikimin e madh që komuniteti shqiptar ka ushtruar përmes lobimit në qarqet politike dhe institucionet amerikane, veçanërisht gjatë dhe pas luftës së Kosovës.

 Dr. Berisha theksoi se përkrahja e vazhdueshme e SHBA-së për Kosovën nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën e organizatave të tilla si VATRA, të cilat me angazhimin e tyre kanë ngritur zërin e Kosovës në nivel global. “Lobi shqiptaro-amerikan ka qenë një nga aleatët më të fuqishëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke u bërë shtytës i fuqishëm për pavarësinë dhe lirinë e saj,” theksoi Dr. Berisha.

Studentët patën mundësinë të diskutojnë dhe të parashtrojnë pyetje mbi sfidat aktuale dhe të ardhshme për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës si shtet i pavarur.

Ligjërata u organizua nga Arian Kadriu, profesor i UBT-së, duke e kthyer këtë ligjëratë në një mundësi të vlefshme për studentët e sigurisë dhe shkencave politike që të mësojnë nga përvoja e një figure të njohur dhe të përfshirë direkt në çështjet kombëtare.

Në përfundim, Dr. Berisha u bëri thirrje studentëve të ndjekin shembullin e diasporës shqiptaro-amerikane dhe të kontribuojnë për të ardhmen e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të forta me aleatët ndërkombëtarë dhe vlerën e veçantë të edukimit për forcimin e pozicionit të Kosovës në arenën globale./UBTNews/

Exit mobile version