Kryebashkiaku i kryeqytetit të Lituanisë, Vilnius, thotë se një rrugë që të çon në ambasadën ruse do të quhet Rruga “Heronjtë e Ukrainës” për të nderuar vendin pas pushtimit të Moskës, përcjell UBT News.
“Të gjithë ata që i shkruajnë një letër ambasadës do të duhet të mendojnë për viktimat e agresionit rus si dhe për heronjtë ukrainas”, shkroi Remigijus Šimašius në Facebook.
“Që tani e tutje, kartëvizita e çdo punonjësi të Ambasadës Ruse do të duhet t’u bëjë homazhe heronjve ukrainas”, shtoi ai.
“E vetmja adresë në rrugën e Heronjve të Ukrainës do të jetë ajo e Ambasadës Ruse”.
Šimašius tha të enjten se autoritetet e Vilnius së shpejti do të përfundojnë ndryshimin zyrtar të emrit javën e ardhshme “në përputhje me ligjin”.
Ndërkohë për një nismë të ngjashme ka bërë thirrje edhe kryetari i një qarku në Pragë.
Ondřej Kolář, një deputet nga partia TOP09, konfirmoi në Twitter se i ka kërkuar bashkisë së kryeqytetit çek të riemërtojë rrugën pranë Ambasadës Ruse.
“Ne kemi miratuar [një] kërkesë për të riemërtuar një pjesë të Rrugës së Kurorëzimit përgjatë Ambasadës Ruse në [Rruga] “Heronjtë ukrainas”, shkroi ai të hënën.
Kolář kishte kërkuar gjithashtu që një urë aty pranë t’i vihej emri i një ushtari ukrainas, i cili thuhet se hodhi vetën në erë për të shkatërruar një urë pranë qytetit ukrainas Kherson, në një përpjekje për të ndaluar trupat ruse të përparonin.
Në vitin 2020, Praga kishte riemërtuar tashmë një shesh pranë Ambasadës Ruse me emrin Boris Nemtsov, një aktivist politik i vrarë në Moskë në vitin 2015. Vilnius dhe Washington DC kishin bërë më parë të njëjtën lëvizje./UBTNews/