Lista Serbe ka thënë të premten se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë, për t’i dërguar “mesazh të qartë” kryeministrit kosovar, Albin Kurti.
“Të nderuar qytetarë…dëshirojmë t’i dërgojmë një mesazh të qartë Albin Kurtit dhe ata që e mbështesin atë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e rrejshëm të ardhshëm në organizatën e tij, me të cilën ai dëshiron të konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve”, shkroi Lista Serbe në Facebook.
Por sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.
Sipas Listës Serbe, pjesëmarrja në “proceset e organizuara nga Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi Serbët, e pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës…”.
Gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.